Ferrari ka vendosur të shqyrtojë procedurat e “pit-stop” pas aksidentit në Formula 1. Njëri prej mekanikëve të Ferrarit, Francesco Cigarini, mbeti i dëmtuar rëndë dhe pati një frakturë në këmbën e majtë pasi u godit gjatë një “pit-stop” nga Ferrari i Kimi Raikkonen. Drejtuesit e FIA-s më vonë gjobitën Ferrarin me 50 mijë euro për incidentin e ndodhur dhe për mungesën e sigurisë në stafin e Ferrarit.
“Ne kemi bërë rishikimin tonë përsa i përket aksidentit, së bashku me FIA, më duhet të them se ata së bashku me stafin tonë janë duke u kujdesur për të shtuar masat e sigurisë në pit-stop”, tha drejtori i skuadrës së Ferrarit , Maurizio Arrivabene ditën e sotme në Shanghai përpara garës së të dielës në Kinë.
“Kemi pasur një keqkuptim , sinjali për tu nisur nuk është lexuar në mënyrë të përkryer nga pajisja elektronike që jep dritën e gjelbër. Në këtë rast, ne kemi tre faktorë – njëra përfshin kontrollin e njeriut, tjetri përfshin kontrollin mekanik dhe tjetri përfshin (një) pajisje elektronike,” tha Arrivabene duke shpjeguar se çfarë shkoi keq gjatë atij aksidenti.
Ndërsa për shëndetin e mekanikut të dëmtuar Arrivabene shtoi : “Sigurisht, si drejtor i ekipit, unë jam në kontakt me të, është kthyer në Itali dhe është në rregull”.