Trajneri i Tiranës ka folur ditën e sotme për mediat pas ndeshjes së fituar me Ilirinë për Kupën me rezultatin 4-0.
Ze Maria është ndalur gjatë te derbi me Partizanin, duke theksuar se që nga sot skuadra do të mendojë vetëm për këtë sfidë dhe do përgatitet në maksimum.
“Tani do të fillojmë të punojmë për Partizanin. Do të mendojmë në çdo kohë për atë, në mëngjes, në darkë, në drekë”, ishin fjalët e para të teknikut Brazilian.
Ndërkohë në lidhje me presionin mbi bardheblutë për shkak të serisë së gjatë të ndeshjeve pa fitore kundër rivalëve të qytetit, Ze Maria e pranoi se realisht 13 ndeshje pa fitore në derbi janë shumë, por u shpreh optimist se këtë herë Tirana do ia dalë.
“13 ndeshje pa fituar! Nuk e di se çfarë do të ndodh këtë herë. Derbi është një ndeshje shumë e rëndësishme. Janë shumë ndeshje pa fitore dhe kjo është e tepërt. Në derbi duhet shumë përqëndrim, shumë balancë, sepse është ndeshje shumë e veçantë. Por unë besoj se do t`ia dalim”, deklaroi ndër të tjera numri një i stolit bardheblu.
Kujtojmë se Tirana nuk ka fituar një derbi kundër Partizanit që prej vitit 2014, me këtë super-sfidë që është kthyer në një makth për të gjithë tifozët bardheblu.