Esat Mala do të vijojë të jetë lojtar i Partizanit. Mesfushori shtatshkurtër, i cili pati shumë probleme përgjatë sezonit të shkuar, pasi nuk pranoi rinovimin, tashmë ka bërë “prapa-kthehu”. Bllokimi i merkatos nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv ka detyruar një nga më të mirët e të kuqve të vijojë “martesën” me të.
Ai ka nënshkruar një kontratë që e lidh me Partizanin për sezonin e ri, me opsion rinovimi edhe për një edicion tjetër. Drejtuesit e kuq janë treguar të kujdesshëm duke i ofruar një pagë prej 30 mijë eurosh në një sezon, ndërsa tanimë gjithëkush që do shërbimet e tij duhet të paguajë kartonin.
Para dy edicionesh, Mala ishte pike referimi për trajnerin Skënder Gega duke fituar titullin kampion me të kuqtë. Ndërsa sezonin e shkuar, akordi i munguar me drejtuesit, bënë që këta të fundit ta linin jashtë për rreth 3 muaj. Tashmë 21-vjeçari nga Prizreni duket se ka fituar besimin e tyre dhe të stafit teknik e do të japë kontributin e tij në sezonin e ri futbollistik.