Thonë që Ilir Daja nuk ta fal fushën lehtë e ndoshta largimi i Ferhan Hasanit e konfirmoi diçka të tillë. Trajneri kryeqytetas është strikt me mënyrën e lojës së vet, manovrën s’e ndryshon kurrë dhe në fushë ai që e meriton më shumë.
Stenio Junior u afrua te Partizani në merkaton e dimrit. Dëshirë e hershme e drejtuesve të kuq, por në pamundësi për të blerë kartonin e tij, u detyruan të prisnin derisa të ishte futbollist i lirë. Siç ndodh në vendin tonë, kritikat “parakaluan” formën e brazilianit që ende nuk ishte aty ku donte Ilir Daja.
Dalëngadalë nisi të marrë ngarkesën e duhur e bashkë me të, të tregonte cilësitë në fushë. Shkëndijën e parë e dha në ndeshjen kundër Kastriotit duke arritur të realizonte me fanelën e kuqe. Më tej fitoi vendin e titullarit dhe në çdo sfidë tregonte progres në formën e tij. Cilësitë teknike janë pikërisht ato që fituan zemrën e Ilir Dajës.
Tekniku kryeqytetas i dha mundësinë, i dha fushën, i besoi atë që e ka të “shenjtë” dhe braziliani duket se ia ka shpërblyer. Ditën e djeshme, në sfidën e Conference League kundër Sfintul Gheorghe, ishte padyshim më i miri në fushë. Jo vetëm njohës i mirë i portës, por dhe altruist i jashtëzakonshëm. Arriti të shënonte 2 gola dhe dha 3 asist në fitoren bindëse 5-2 të ekipit të tij. Ndoshta dhe ai s’e kishte menduar një mbrëmje të tillë.
Ajo që bie në sy është këmbëngulja e madhe e këtij lojtari për të bërë mirë. Tipik futbollisti i Ilir Dajës, që ushtron presing ultra-ofensiv dhe përmes teknikës që zotëron, shënon gola që të bëjnë të duken të thjeshtë në ekzekutim. Tanimë s’mbetet gjë tjetër veçse të shihet se si do të jetë në takimin e ardhshëm sulmuesi brazilian e më tej në sezonin e ri futbollistik. /Newsport.al/