Vllaznia luan nesër takimin e fundit të kampionatit ndaj Laçit, dnërsa përballet pas pak ditësh me Skënderbeun, në finalen e Kupës. Shkodranët kanë kërkuar nga institucionet përkatëse që të lejohet prezenca e tifozëve në këto ndeshje. Klubi ka bërë një postim në rrjetet sociale, ku bën me dije se për 90 minutëshin e kampionatit është e sigurtë mungesa e lojtarit të 12-të, ndërsa për sa i përket Kupës, ka akoma shpresë.
Kujtojmë që Vllaznia është në lojë për titullin kampion. Ekipi i Brdariç ka pikë të barabarta me Teutën, por është -1 në golavarazh.
“KF Vllaznia ju bën të ditur të gjithë tifozëve të saj se pavarësisht zërave që kanë qarkulluar ditët e fundit, stadiumet shqiptare vazhdojnë të jenë të mbyllura si rrjedhojë e rregullave të vendosura nga institucionet shtetërore për shkak të situatës së krijuar nga covid-19.Për këtë arsye, edhe në ndeshjen e nesërme, atë ndaj Laçit që është e fundit e këtij kampionati, prania e tifozëve në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi” është sërish e pamundur.Mbetemi me shpresë që të paktën në ndeshjen finale të Kupës së Shqipërisë ndaj Skënderbeut, të kemi një numër tifozësh në shkallët e stadiumit për të mbështetur skuadrën e tyre të zemrës” – shkruan klubi.