Barcelona është fiksuar pas Neymar dhe kjo s’përbën më lajm. Katalanasit duan ta transferojnë me doemos në “Camp Nou” yllin Brazilian i cili ka shkëlqyer edhe në Francë me Paris Saint Germain. Ditën e djeshme, mediet spanjolle raportonin se Barça ishte gati të paguante kartonin e Neymar duke futur në këtë lojë transferimi edhe Antoine Griezman. Kampionët e Spanjës prej një viti kanë tentuar të afrojnë në ekip sulmuesin e PSG-së.
Madje, “Mundo Deportivo” raporton se Barcelona i ka ofruar plot 130 milionë euro francezëve verën e shkuar së bashku me Rakitiç dhe Todibon, ndërsa Dembele në huazim. Por, drejtuesit e PSG-së s’kanë pranuar duke kërkuar 20 milionë euro më shumë dhe Dembelen jo në formë huazimi. Pikërisht për këtë tratativat kanë dështuar dhe do të provohet sërish në këtë merkato vere sapo të hapet periudha e “hyrje-daljeve”.