Klubi i Skënderbeut është njohur sot me vendimin e Komisionit të Etikës teksa është dënuar me 10 vite përjashtim dhe 1 milionë euro gjobë. Një dënim që ka trazuar mbarë ambientin sportiv në Shqipëri, por sigurisht më shumë atë korçar. Tashmë klubi i Skënderbeut do t’i drejtohet të gjithë shkallëve të gjykimit dhe shpresa e fundit është CAS-i.
Por, nëse edhe CAS lë në fuqi vendimin çdo të ndodhë me Skënderbeun? Presidenti Ardjan Takaj nuk është kursyer aspak, por i ka shndërruar korçarët në një klub europian. Ka shpenzuar shumë dhe ka arritur ta çojë ekipin e tij, aty ku askush nuk ka arritur ta bëjë: Në grupet e Europa League.
Tashmë e ardhmja e tij duket në udhëkryq. Natyrshëm lind pyetja: Në një klub që nuk mund të arrijë për 10 vite Kupat e Europës, a do të jetë dikush që do të derdhë miliona lekë? Sigurisht Kupat e Europës janë synimi i çdo klubi shqiptar dhe jo vetëm. Le t’ia lëmë gjithçka kohës që të na e zbulojë…