Sot opinioni futboll dashës u përball me një titull në faqen e parë të Panorama Sport në të cilën thuhej se KF Tiranës I janë bllokuar sërish llogaritë për një borxh prej 1.5 milionë eurosh. Kur e sheh titullin për herë të parë të krijohet ideja se tashmë te Tirana nuk funksionon asgjë.
Por thjesht, titujt tendencioz të Panorama Sport ndaj Tiranës janë në vazhdën e negativitetit me të cilin shihet puna te Tirana.
Vendimi përmbarimor për bllokimin e shitjes së 66 përqind të aksioneve të KF Tirana nuk ka të bëjë me borxhe të Klubit.
Burime nga Klubi thanë për newsport.al se kjo është cështje e biznesit të ndërtimit të Halilit me palë të tjera, jashtë aktivitetit sportiv. Halili dhe familja Preza janë në konflikt prej disa vitesh në shkallë të ndryshme të gjykatës për punë shitblerje pronash mes njëri tjetrit, një aktivitet që ka të bëjë me punën e Refik Halilit si biznesmen në fushën e ndërtimit, një marrëdhënie që deri më sot, është te cdo biznes. Deri në përfundim të gjyqit mes palëve, Firma Halili, që ka në dispozicion shumë asete, dhe një prej të cilave është edhe 66% e aksioneve të KF Tirana, nuk mund të shesë apo të blejë prona, derisa gjykata të shpallë vendimin përfundimtar se kush ka të drejtë në marrëdhëniet mes palëve.
Për konfliktin e shitjes apo blerjes së shtëpisë dhe problemeve që fisi Preza ka brenda vetes (pasi nuk gjejnë gjuhën as në gjykatë), ka një gjyq të Refik Halilit kundër familjes Preza, dhe një gjyq të familjes Preza ndaj Halilit.
E gjithçka në këtë aktivitet ndërgjyqsor nuk ka të bëjë me klubin Tirana.
Panorama Sport me qëllim në faqe të parë thotë se “Tiranës I bllokohen llogaritë” (që nuk është e vërtetë), sepse faqa e parë lexohet në ekrane; ndërsa në faqet e brendshme e rregullon titullin duke shkruar që në QKR bllokohet shitja e aksioneve të KF Tiranës.
Por asgjëkundi nuk shprehet për ndonjë borxh sportiv, apo ndaj klientëve të ndryshëm të KF Tirana ndaj të tretëve. Që do të thotë se ka thjesht tendencë në hapjen e tymnajës për borxhe, pikërisht kur Tirana kryeson tabelën e klasifikimit në javën e katërt, dhe një ditë para ndeshjes së rëndësishme me Kukësin.
Ndërsa në njërën faqe i bën reklamë Kukësit me intervistë me presidentin, në faqen tjetër hap tymnajën e borxheve. Duket se gazetarët janë të lexueshëm sesi duan të ndikojnë tek kjo ndeshje.