Endri Lala është një nga emrat e njohur të kampionatit shqiptar, veçanërisht një lojtar që ka kontribuar te Partizani në vitet më të vështira të të kuqve. Në sezonin 2012-2013, ai ishte pjesë e organikës së 15-herë kampionëve të Shqipërisë.
Prej disa edicionesh luan në Kategorinë e Parë, ndërsa tashmë ka zgjedhur sërish të jetë pjesë e së Parës. Klubi i Dinamos ka njoftuar në kanalin zyrtar në facebook, se ka arritur marrëveshjen pikërisht me 26-vjeçarin durrsak.
“Endri Lala rivishet Blu!
26-vjeçari i dalë nga akademia Dinamovite, rikthehet te luajë në ekipin “mëmë” në sezonin e ardhshëm, ku do ti bashkohet Mario Morinës në repartin e sulmit!
Lala rikthehet tek Dinamo pas një eksperience tek disa skuadra si Partizani, Kukesi, Mamurrasi e Laçi, ndërsa sezonin e fundit ishte pjesë e Erzenit.
Për herë të fundit Lala ishte pjesë e ekipit në sezonin 2011-12, në Kategorinë Superiore”, shkruhet në njoftimin e klubit kryeqytetas.
Lala ka provuar me disa skuadra në Shqipëri si Dinamo, Kukësi, Partizani, Tërbuni, Mamurrasi, Kamza dhe Erzeni. Tashmë ka vendosur të rikthehet edhe një herë në kryeqytet.