Fatjon Jusufi është lojtari më i ri i skuadrës së Partizanit. Ashtu sikurse ishte përfolur ditë më parë, sot mesfushori me tipare sulmuese ka hedhur të “zezën mbi të bardhë”, duke u bërë zyrtarisht pjesë e 15-herë kampionëve të Shqipërisë.
Lajmin e bën me dije klubi i Partizanit që përmes një njoftimi tregon se 23-vjeçari ka nënshkruar një kontratë 2-vjeçare me opsioni rinovimi edhe për 1 vit tjetër.
“Klubi njofton arritjen e marrëveshjes me Fatjon Jusun. Mesfushori me tipare sulmuese, i cili gjatë këtij sezoni ishte pjesë e Renovës në kampionatin maqedonas, ka rmosur sot një kontratë 2 vjeçare me të drejtë rinovimi edhe për një tjetër vit me të kuqtë. 23 vjeçari është prezantuar në ambjentet e klubit dhe menjëherë i është bashkuar skuadrës për të nisur përgatitjet në Antalia të Turqisë”, shkruhet në njoftimin e klubit të Partizanit.
Kujtojmë që për lojtarin në fjalë kishte shfaqur interes edhe skuadra e Tiranës, por janë të kuqtë ata që kanë arritur të marrin në gjirin e tyre mesfushorin fantazist që ngjason nga ana teknike me Mentor Mazrekajn, ish-lojtar i Partizanit para dy sezoneve.