Situata e krijuar te Tirana së fundmi nuk është aspak e qetë. Rezultate negative, renditja në zonën e ftohtë në tabelën e klasifikimit, e ardhmja e trajnerit, rikthimi i qetësisë dhe harmonisë tek grupi i lojtarëve, këto dhe shumë detaje të tjera janë ato që komentohen së fundmi në kampin bardheblu.
Edhe pse u mendua se në mbledhjen që u zhvillua pak ditë më parë, u zgjidh gjithçka, e vërteta nuk qëndron kështu. Humbja me Laçin ka rihapur shumë çështje delikate te Tirana.
Nga njëra anë qëndron braziliani i cili nuk largohet me dëshirë dhe pret fjalën e fundit nga presidenti Refik Halili dhe në krahun tjetër është ky i fundit që mendon se e keqja nuk është trajneri dhe shpreson se gjithçka do të rregullohet.
Që të dy personazhet në fjalë po luajnë me “zjarrin” që në fund mund të djegë si Tiranën dhe Halilin, pasi Ze Maria del i “larë” nga kjo histori sepse me shumë mundësi komenti i tij pas largimit nga bardheblutë, gjithmonë nëse kjo gjë ndodh, do të jetë; “më shkarkuan”. Po me Tiranën dhe presidentin çfarë do të ndodhë.?
“Numri 1” i klubit bardheblu duhet të lëvizë në këto ditë pushimesh pasi është momenti më i mirë për të bërë lëvizje në rast se ka në plan ta bëjë këtë gjë. Në rast se vazhdon me këtë situatë dhe historia përsëritet, në fund do të jetë Tirana që do ta pësojë, ndërkohë që tekniku do të jetë duke luajtur “letrat” e fundit në këtë lojë të rrezikshme që mund të lërë shumë pasoja në kampin bardheblu.