Mediat amerikane kanë bërë me dije sot se dueli i shumëpërfolur mes boksierit Floyd Mayweather dhe ikonës së arteve marciale mikse Conor McGregor do të zhvillohet më 16 shtator, në Las Vegas. Duket se kjo datë nuk është zgjedhur rastësisht, pasi pikërisht më 12 shtator 2015, boksieri i pamposhtur ka zhvilluar sfidën e tij të fundit në karrierë dhe më pas vendosi të tërhiqej (49 fitore dhe asnjë humbje).
Ende mungon zyrtarizimi për këtë datë, por ditët e fundit gjithnjë e më shumë po shtohen zërat se në shtator do të zhvillohet sfida mes ikonës së boksit dhe atij të UFC-së, një përballje “show”, nga e cila sportistët do të përfitojnë nga 100 milionë dollarë secili.
Mayweather ka deklaruar pak ditë më parë se ka vendosur të rikthehet në ring vetëm për një përballje me irlandezin e UFC-së, duke propozuar qershorin si muajin e përshtatshëm për duelin e shumëpritur. Por më pas dolën zërat se sfida do të zhvillohet në shtator, dhe pikërisht vjeshta duket se është periudha kur palët kanë rënë dakord për t’u përballur në një sfidë boksi.
McGregor, 28 vjeç, pritet të bëjë debutimin e tij në boks, aty ku 40-vjeçari Mayweather është një legjendë. Dhe sfida do të zhvillohet në Las Vegas, aty ku duelojnë më të mirët dhe ku shteti i Nevadës pritet t’i japë “OK”-in irlandezit për t’u ngjitur në ring. Kjo marrëveshje pritet të konfirmohet ditët në vijim.