Andres Iniesta ka dalë në konferencë për shtyp ku ka folur një ditë para ndeshjes kundër Juventus. Ylli i Barcelonës deklaroi që ndaj bardhezinjve do të jetë e vështirë, megjithatë jo e pamundur. Iniesta thekson që duhen shfrytëzuar me kujdes të gjitha rastet kundër ekipit italian.
“Duhet të jemi të durueshëm dhe të presim rastet tona, nuk duhet të humbim durimin, është pjesa më e rëndësishme e asaj çfarë duhet të bëjmë nesër. Rezultati është i tmerrshëm për ne, kemi mundur të bëjmë më mirë shumë gjëra, por siç e dini nuk i kemi bërë. Tani duhet të shfrytëzojmë rastet tona dhe të shpresojmë se do të kualifikohemi.
Ndeshjet ndaj PSG-së dhe Juves kanë ngjashmëri të shumta, por këto tregojnë statistika që ndonjëherë nuk janë të vlefshme. Juve ka pësuar mendoj vetëm 2 apo 3 gola këtë sezon dhe kjo është një statistikë e rëndësishme. Megjithatë për ne akoma nuk ka ndryshuar asgjë. Do të jetë e vështirë. Respektojmë të gjithë kundërshtarët dhe e di se kundërshtarët do të sigurohen se nuk do të bëjnë lojën e njëjtë si PSG”, deklaroi Iniesta.