Ditën e sotme në sallën sportive “Feti Barova” Kombëtarja e meshkujve në volejboll ka fituar 3-0 ndaj Azerbajxhanit, në ndeshjen e Grupit A, të vlefshme për fazën e dytë të Ligës së Europës.
Një dominim i volejbollistëve të trajnerit Jani Melka, të cilët treguan superioritet në shumicën e kohës dhe e merituan fitoren. Kjo është fitorja e tretë e kuqezinjve në Grupin A (kanë edhe një humbje) në katër takime, duke konsoliduar vendin e dytë dhe janë shumë pranë kualifikimit për në finalet e Ligës së Europës. Një objektiv që mund të arrihet nesër, në takimin ndaj Suedisë, rivalja më e afërt, por që ndodhet 5 pikë larg.
Shqipëri – Azerbajxhan, 3-0 (25-15, 25-21, 25-19)
SHQIPËRIA: Kola, Gjoklaj, Koçi, Çali, Husaj, Bashi, Xhelati, Shurdhi, Kula, A.Qafarena, N.Qafarena, Baruti, Muslia, Deliu. Trajner: Jani Melka
AZERBAJXHANI: Bayramov, Hasanli, Suleymanov, Aghazade, Kutukov, Alishanov, Ibragimov, Samadov, Obodnikov, Kliyev, Chervyakov, Kazachkov, Baranov, Allahverdiyev. Trajner: Farid Jalalov
Gjyqtarë: Michael Koutsoulas (Greqi), Mamdouh Baklouti (Francë)