Atmosfera në Shkodër i ngjan një dite morti, ku tashmë në qytetin verior konsiderohet se vdiq futbolli. Në Shkodër thuhet se vetëm dy gjëra ia mbajnë shpirtin ‘gjallë’ shkodranëve, teatri ‘Migjeni’ dhe Vllaznia. Dhe duket se kjo e dyta tashmë është shuar dhe të gjithë po vajtojnë për të në qytetin ku lindi futbolli në vendin tonë.
I madh e i vogël i ndjejnë me zemër këto ditë të vështira ku edhe pse Vllaznia nuk ka rënë ende matematikisht askush nuk shpreson te një mrekulli. Tashmë ndoshta nuk ka vlerë për të gjetur as fajtorët për disa, por ka edhe nga ata që besojnë se nëse stafi teknik do ishte shkodran, Vllaznia do mbijetonte prej kohësh.
Por gjithsesi jeta vazhdon dhe siç thotë edhe aktori i madh, Besnik Çinari: “Duhet ta marrim me sportivitet si vetë fjala sport, por Shkodra këtë e ka një hall famijlar dhe askund tjetër në këto ditë nuk diskutohet gjë tjetër përveç Vllaznisë që është një fe për ne”.