Takimi i ardhshëm mes Teutës dhe Vllaznisë që luhet në kuadër të javës së 29-të të kampionatit duket se është kthyer në një çështje të rëndësishme dhe në FSHF, kjo pasi klubi shkodran ka dërguar kërkesën pranë Federatës ku kërkon që “finalja” e mbijetesës të gjykohet nga arbitra të huaj.
Nisur nga fakti që asnjë nga gjyqtarët nuk krijojnë besueshëmëri, klubi i Vllaznisë i ka paraprirë situatës duket dorëzuar në datën 6 prill kërkesën pranë FSHF-së për gjyqtarë të huaj. Fillimisht u mendua se institucioni i futbollit shqiptar kishte arritur marrëveshjen për të sjellë në Shqipëri gjyqtarë nga Finlanda, por deri më tani nuk ka asgjë zyrtare.
Kostoja e gjyqtarëve për të vendosur drejtësi në këtë takim shkon afërsisht 10 mijë euro, shumë që pritet të paguhet nga shkodranët pasi ishin ata që bënë kërkesën. Edhe pse dita e ndeshjes po afron, Vllaznia ende nuk ka paguar këtë shumë, duke lënë gjithçka pezull.