Ish-futbollisti i njohur i kombëtares së Shqipërisë Edvin Murati mendon se arritja e rezultateve bindëse nga skuadra kuqezi mund të realizohet nëse u jepet më tepër kohë lojtarëve që të njohin njëri-tjetrin. Në një prononcim për “Telesport”, 43-vjeçari pranoi se ekipi kombëtar vuan nga deficite të mëdha, por pa veçuar konkretisht ndonjë.
“Është e vështirë të themi realitetin, kur ke një lider si Lorik Cana, kur ke ndryshim trajneri duhet lënë kohë trajnerit që të ambientohet me ekipin. Lojtarët duhet të luajnë me njëri-tjetrin sa më shpesh që të njihen ndërmjet tyre. Duhet të ketë më tepër njohje midis njërit dhe tjetrit.
Dihet që pika më e fortë është porta, duke pasur dy portier të mirë si Strakosha dhe Berisha, pastaj pika të dobëta kemi shumë, të them të vërtetën. Ne gjithmonë nuk kemi pasur as Messi as Ronaldo, por kemi luajtur si ekip. Të luajmë si ekip, ajo është kryesorja.
Sigurisht, kombëtarja ka pasur trajner si Hafizi, Zhega. Është normale që do të dalin nga shkolla e trajnerëve, por pastaj duhet të kesh një eksperiencë të madhe në arenën ndërkombëtare. Nuk është vetëm njohja e futbollit por është psikologjia, janë shumë gjëra që duhet të bëjë njëkohësisht një trajner i madh”, përfundoi ish-futbollisti i PSG-së.