Sulmuesi Reginaldo nuk e ka pëlqyer aspak uljen në stol në përfundim të ndeshjes me Kamzën. Mozambikasi refuzoi t’i jepte dorën trajnerit të tij Armando Cungu dhe mes të dyve pati një debat që vazhdoi për disa minuta. Pavarësisht se shënoi në sfidën e fundit ndaj Teutës dhe me Kombëtaren e Mozambikut, vendimi i trajnerit shkodran për ta ulur në stol në minutat e fundit të lojës e ka revoltuar pa masë sulmuesi afrikan. Marrëdhëniet mes të dyve duket se janë acaruar sërish. Përpara disa kohësh Cungu e kritikoi ashpër Reginaldon pas një ndeshjeje dhe afrikani e thelloi më tej debatin duke iu kundërpërgjigjur ashpër Cungut në media. Të dy bënë paqe pasi drejtori i klubit Nderim Nexhipi negocioi pajtimin midis tyre. Nuk dihet nëse lojtari rrezikon të penalizohet nga klubi për sjelljen e shfaqur në ndeshjen e sotme.
Cungu pas takimit deklaroi se nuk kishte asnjë gjë për t’u bërë alarmante pas ndeshjes.