Klisman Cake është lojtari i Tiranës i cili ka dalë nga akademia bardheblu. Talenti është titullar i padiskutueshëm në radhët e 24-herë kampionëve të Shqipërisë, teksa trajneri Ze Maria i ka dhënë shumë besim në fazën difensive. Në fakt besimi i tij është shpërblyer pasi ai në fushën e blertë ka treguar eksperiencën e një lojtari që ka shumë vite që luan në elitë. Besojeni ose jo, Cake është vetëm 19 vjeç dhe sapo ka dalë nga bankat e shkollës.
Madje ditën e djeshme ai ka finalizuar me sukses një cikël të gjatë duke i dhënë fund studimeve parauniversitare. I kollarisur si një burrë i moçëm, ai ka qenë në qendër të vëmendjes në Mbrëmjen e Maturës të zhvilluar nga shkolla Partizani. Në një video të postuar në rrjetet sociale, shihet se si të gjithë brohorasin dhe këndojnë kur këndohet kënga e Pajtim Strugës: “Gol Tirona”. Cake mbi të tjerët dhe shokët e tij të cilët e duartrokasin. E me të drejtë… Shumë shpejt ai duhet t’i kthejë nderin. Si? Duke dhënë maksimumin në fushën e blertë për të “korrur” sukses në çdo ndeshje. /Newsport.al/