Dy futbollistët e kombëtares, Azdren Llullaku dhe Elseid Hysaj kanë dalë në konferencë për shtyp, ku kanë folur për ndeshjen e së shtunës ndaj Izraelit. Të dy kuqezinjtë ishin optimistë dhe deklaruan që do të hynin në fushë vetëm për fitore.
Deklarata e Llullakut:
“Jam i përgatitur fizikisht por nëse do të luaj atë e di vetëm trajneri. Unë jam këtu të ndihmoj skuadrën. Në Rumani po kaloj një moment të mirë, por kur hy në fushë nuk mendoj për golin, por për fitoren e ekipit. Nëse shënoj atëherë është diçka më mirë.
Kemi lojtarë të vlefshëm që luajnë në skuadra të mira, kjo na ndihmon për të synuar vendin e 3 pse jo dhe të dytin. Duhet të fitojmë këtë ndeshje dhe të synojmë vendin e dytë, më pas të mendojmë për ndeshjet e ardhshme.
Preferoj të luaj si sulmues i dytë, por gjithashtu mund të luaj si në të djathtë ashtu edhe në të majtë të sulmit”, përfundoi sulmuesi i kuqezinjve.
Deklarata e Hysajt:
“Është një ndeshje e vështirë. Izraeli është një skuadër e fortë por ne po përgatitemi, të gjithë duam të fitojmë. E dimë që një skuadër shkon në Play Off dhe objektivi ynë është të shkojmë në Rusi. E dimë që është e vështirë por do të mundohemi të bëjmë të pamundurën, dicka që e kemi treguar edhe me arritjen në europian.
Nuk është problem që jemi spostuar nga Shkodra në Elbasan. Duhet të përqendrohemi tek këshillat e trajnerit dhe të japim maksimumin. Ne duhet të fitojmë këtë sfidë sepse duhet të luftojmë me Italinë dhe Spanjën për kualifikimin.
Nuk kam pasur një periudhë të mirë fizike dhe për këtë arsye nuk kam luajtur në disa ndeshje. Megjithatë gjithcka ka kaluar dhe tashmë jam gati për klubin dhe kombëtaren”, përfundoi mbrojtësi i djathtë i kombëtares.