Në javën e kaluar në Kategorinë e Parë, janë luajtur ndeshjet e javës së 15-të, e një prej takimeve ishte ai mes Vorës dhe Dinamos. Kjo sfidë ka përfunduar me rezultatin 1-0 për Vorën.
Mirëpo, 18 herë kampionët e vendit, përmes një reagimi në rrjetin social “Facebook” shprehen se janë shumë të pakënaqur me arbitrimin, pasi u është mohuar një penallti shumë e pastër.
Këto episode janë duke e dëmtuar shumë klubin, pasi është e disata herë që ndodh diçka e tillë, sikurse në ndeshjen me Vllazninë, apo edhe me Erzenin.
Reagimi i Dinamos:
Dinamo vazhdon të bjerë pre e arbitrimit skandaloz të gjyqtarëve!
Nuk duam kurrsesi të justifikojmë humbjen në fushë, por nuk mund të qëndrojmë indiferentë ndaj indinjatës së tifozëve, që me të drejtë reagojnë ndaj vendimeve të gjyqtarëve.
Duke e ditur mjaft mirë që jemi pjesë e një kampionati që diferencën në fushë e bëjnë episodet, po ju tregojmë këtë video, ku na mohohet sërish një penallti “sade” në ndeshjen e fundit ndaj Vorës. Kjo është humbja e tretë e jona ku protagonist bëhen gjyqtarët.(kujtojmë këtu penalltitë e padhëna edhe ndaj Vllaznisë e Erzenit)
Nuk e dimë se kujt i prishim punë por Dinamo nuk mund të luftohet nga faktorë të jashtëm sa herë që merr rezultate pozitive.
Këtë javë presim Ilirinë ku shpresojmë sëpaku që arbitrimi mos të bëhet faktor, qoftë fitore, barazim apo humbje.
Ne do luftojmë vetëm për tri pikët!