Kosova do të vijojë të ketë dy ekipe pjesëmarrëse në Kupat e Europës edhe për dy sezonet e ardhshme. Lajmi është bërë i ditur nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), nëpërmjet një komunikate zyrtare, ku arsyeton edhe shkakun pse UEFA nuk pranoi kërkesën e tyre për shtimin e një skuadre të tretë për sezonin e ardhshëm.
Kosova këtë sezon u përfaqësua në Champions League nga skuadra kampione e Superligës dhe me vendin e dytë në Europa League. Rezultatet deri diku pozitive me kalimin e një turi, bënë që FFK të kërkonte shtimin edhe të vendit të tretë në Europa League ashtu siç ndodh gati për të gjitha vendet e tjera. Por kjo nuk është miratuar për momentin me arsyetimin se rishikimi i ekipeve pjesëmarrëse në dy kompeticionet në fjalë bëhet në bazë të koeficientëve çdo tre vjet, duke e lënë këtë diskutim për pas dy sezonesh.
‘Cikli i prezantimit të klubeve në garat e UEFA-s ndryshon çdo tri vite, prandaj përkundër rezultateve pozitive të klubeve të Kosovës në kampanjën e fundit të ndeshjeve në garat e UEFA-s dhe kërkesës së FFK-së për shtimin e të paktën një klubi në garat ndërkombëtare, ai ndryshim nuk ka reflektuar menjëherë, por efektet mund të ndodhin në vitet në vijim. Të shpresojmë se një gjë e tillë do të ndodhë por kjo varet shumë nga paraqitja e skuadrave të Kosovës në këto dy gara prestigjioze.‘-shkruhet në njoftimin e FFK-së.