Humbja e thellë e pësuar nga Rusia në ndeshjen e parë të Botërorit ditën e djeshme duket se nuk është kapërdirë lehtë në Arabinë Saudite. Presidenti i federatës së futbollit në vendin arab ka reaguar ashpër lidhur me perfomancën e lojtarëve të kombëtares. Ai madje ka shkuar deri aty sa ka akuzuar me emër disa prej lojtarëve për mosimpenjim në sfidën kundër të zotëve të shtëpisë.
Adel Ezat paralajmëroi se do të ketë penalizime pasi paraqitja nuk justifikohej nga niveli i përgatitjes paraprake të skuadrës. Më konkretish ai u ndal në lojën e portierit Abdullah Al-Mayouf, sulmuesit Al-Sahlaui dhe mbrojtësit Omar Hausaui. Sipas Ezat këta lojtarë dhanë vetëm 5% të asaj çfarë pritej prej tyre.
Arabia Saudite u mund 5-0 nga Rusia ditën e djeshme duke komplikuar së tepërmi situatën e saj në grupin A ku ndodhen edhe Uruguaj me Egjiptin.