Ndriçim Shtubina u largua nga Kukësi para pak ditësh dhe i është bashkuar ekipit të Laçit. Për ojtarin u përfol edhe për një rikthim te Vllaznia, por nuk u realizua.
Sot, Shtubina ka folur për televizionin “TV1 Channel”, ku ka treguar arsyet e firmës me Laçin.
“Të them të drejtën e kam pritur një kontakt me drejtuesit, gjithsesi nuk më ka kontaktuar kush dhe unë bëra zgjedhjen time, pasi drejtuesit e Laçit më kanë kontaktuar dy-tri herë rresht dhe kur e pashë që diçka në Shkodër nuk shkon, atëherë vendosa të firmosja direkt me Laçin”, thotë Shtubina në “TV1 Channel”
Shtubina ka analizuar dhe situatën e Vllaznisë, madje ka thënë se trajnerit nuk i djeg shumë, pasi ai nuk është shkodran.
“Më vjen keq për situatën, sepse dita-ditës po rëndohet më shumë. Njerëzit mendojnë se do gjendet zgjidhja, por unë tani kam edhe eksperiencë në futbollin tonë dhe e shoh se situata nuk është e mirë, me gjithë dëshirën e drejtuesve, por ndoshta edhe nuk janë në dijeni të situatave, ndoshta edhe nuk dinë dhe e bëjnë pa dashje.
Unë them se edhe disa emra lojtarësh që përmenden në gazeta e nëpër portale, të kenë kujdes sepse nuk janë për Vllazninë.
Flas ngaqë unë e dua Vllazninë dhe mund ta jap edhe ndonjë këshillë, por gjithsesi ndoshta ata nuk e duan mendimin tim. Mund të veprojnë si kanë dëshirë, por ngaqë ka specialistë në Shkodër, ka ish-futbollistë që munden me e dhanë një mendim për blerjet.
Unë mund të thosha që mos t’ia lënë çdo gjë trajnerit, sepse trajneri nuk është shkodran dhe nuk i djeg shumë për Vllazninë”.