Pas dy barazimeve ndaj Flamurtarit dhe Tiranës 1-1, Teuta kërkon të shtojë ritmin në kampionat dhe të mos zvarritet më. Trajneri Bledi Shkëmbi e bëri të qartë për “RTSH Sport” se ekipi duhet të kthehet te fitorja për të realizuar objektivat. Në lidhje me Armando Vajushin, goditjen e merkatos së janari, Shkëmbi theksoi se ai ende nuk është gati për të nisur takimin e nesërm si titullar. Ai u dha mesazh dhe sulmuesve Tomislav Busic dhe Latif Amadu për të arritur formën optimale fizike për të qenë të gatshëm të ndihmojnë ekipin në fazën më të nxehtë të sezonit.
“Kthesa e sezonit ndaj Kamzës? Pas dy barazimeve duhet të rikthehemi te fitorja, sepse mendoj se do të na shërbejë shumë për ndeshjet e ardhshme.
Sulmuesit Latif dhe Busic jo në formën më të mirë? Gjithmonë të shënosh është shumë e vështirë. Jo vetëm te Teuta, por dhe te Real Madridi e Barcelona e kanë të vështirë të shënojnë. Jam dakord te pjesa që duhet të jemi atje ku kemi kërkuar. Mendoj se ndoshta kanë ndikuar dhe këto momentet e merkatos të ardhjes dhe largimeve të lojtarëve. Pas kësaj jave shpresoj që grupi të jetë i plotë për të marrë ato rezultate që kërkojmë.
Rëndësia e Vajushit? Vajushi do të jetë i grumbulluar për ndeshjen me Kamzën, por akoma nuk është gati ta nisë ndeshjen nga minuta e parë. Është një vlerë e shtuar për ne, nuk diskutohet, një lojtar me shumë cilësi. Jam i bindur që gjatë këtyre dy fazave do të na ndihmojë shumë, por sa më shpejt si ai, si Busic, si Latifi të vijnë në gjendjen e tyre maksimale. Ky është objektivi parësor për këta lojtarë”, përfundoi trajneri i Teutës Bledi Shkëmbi për “RTSH Sport”.