Fitorja 4-0 kundër Kastriotit duket se ka lënë me pasoja skuadrën e Tiranës. Qendërmbrojtësi bardheblu, Vincent Atinga mbyll këtë vit kalendarik pasi është dëmtuar në gju.
Fillimisht u mendua se kishte këputur miniskun, por pas ekzaminimeve të detajuara rezultoi se ka pasur vetëm një zgjatje të tij, ndaj u detyrua të linte para kohe sfidën kundër krutanëve.
Megjithatë koha e nevojshme për t’u rikuperuar është dy javë, praktikisht vit kalendarik i mbyllur për 25-vjeçarin. Kësisoj ai do të mungojë në dy ndeshjet e radhës, kundër kurbinasve në Laç dhe ndaj Flamurtarit në shtëpi.
Kujtojmë që me ardhjen e trajnerit Ard Mema, afrikani ka fituar një vend titullari në formacionin bardheblu. Vendin e tij për dy sfidat e radhës pritet ta zërë Marvin Turtulli, megjithatë fjalën e fundit do ta thotë trajneri i Tiranës. /Newsport.al/