Sulmuesi i krahut të Interit Ivan Perisic ka trembur klubin zikaltër pas skualifikimit nga Champions League. Nënkampioni i botës ka hapur mundësinë që ai të provojë eksperienca të tjera në futbollin spanjoll apo anglez. Sipas “calciomercato”-s, kroati ndihet i pakënaqur me ecurinë e skuadrës kohët e fundit dhe kjo ka sjellë zhgënjimin e tij.
“Kurrë mos thuaj kurrë në futboll. Kam patur ambicien që të luaj në shumë kampionate futbollit dhe sërish të provoj veten time në shumë kompeticione, si në Spanjë dhe në Angli. Shpresoj që Interi të më kuptojë këndvështrimin tim; jam një sportist dhe profesionist, i dua sfidat dhe kjo është forca ime”, deklaroi Perisic.
Që pas paraqitjes historike dhe fantastike me Kroacinë në Botërorin e Rusisë gjatë një muaji, Perisic nuk ka mundur të transferojë formën e tij të mirë dhe në klubin italian. Gjatë merkatos verore, Manchester United i ofroi Interit gati 100 milionë € për të fituar shërbimet e Perisic, por italianët refuzuan kategorikisht. Megjithatë, deklarata e fundit e lojtarit të Kroacisë lë të kuptohet se mundësia për të lënë Milanon është e hapur.