Skënderbeu ka arritur dy ndeshjet e para nën drejtimin e trajnerit Ilir Daja. Megjithatë loja e zhvilluar në fushën e blertë nuk e ka kënaqur teknikun kryeqytetas, i cili në seancat stërvitore i ka “tërhequr veshin” të gjithë lojtarëve për të dhënë maksimumin e tyre në fushë. Forma jo e mirë që po kalon mesfusha korçare, ka bërë që Skënderbeu i frikshëm të humbë shkëlqimin e viteve të kaluara.
Kësisoj Ilir Daja në konferencën për shtyp, para ndeshjes me Laçin është shprehur se kërkon shumë më tepër prej Lilajt dhe Orelesit duke qenë se ata janë organizatorët e mesit të fushës. Duke ditur potencialin që kanë, trajneri i korçarëve është i sigurtë që të dy mesfushorët mund të ndihmojnë shumë skuadrën si në mesfushë, por gjithashtu edhe duke furnizuar sulmuesit me topa.