Skënder Gega do të jetë trajneri i ri i Partizanit. Tekniku i njohur është prezantuar sot para mediave, në prani të drejtorit Olsi Rama. Gega në fjalën e tij theksoi se ka ardhur me ide të qarta, ndër të cilat më e rëndësishmja dhe kryesorja, rikthimi i titullit kampion.
Trajneri i 15-herë kampionëve të Shqipërisë e pranoi që në klub ka probleme, megjithatë janë gjëra që do të kalohen:
“Jam i kënaqur që jam pjesë e Partizanit. Kam një projekt të ri të cilin kam nisur ta vë në zbatim prej ditës së djeshme. E kam pasur këtë fat dhe ndihem krenar që jam pjesë e klubit të kuq. Nuk më pëlqen t’i bëj analizën të kaluarës, por dua të kontribuoj dhe të rri sa më gjatë sepse jam i lidhur me këtë fanelë. Të jesh trajner i Partizanit është përgjegjësi e madhe. Megjithatë ne do të shohim para dhe do të bëjmë çmos që ta bëjmë Partizanin, ekip model në Shqipëri.
Do të mundohemi të afrojmë shumë lojtarë edhe nga akademia. Jo vetëm për aq kohë sa të jetë Gega, por edhe më vonë. E kam ndjekur Partizanin edhe më përpara. Mendoj se kemi nevojë për ndërhyrje në të gjithë repartet. Për mua ky ishte shansi i parë. Partizani ka boshtin e tij dhe ka lojtarë me potenciale. Nuk duhet t’i shohim kundërshtarët si armiq. Dje jam prezantuar me ekipin, sot është stërvitja e parë dhe tani do të shohim për më të mirën. Çdo ekip sportiv duhet të ketë disiplinë.
Unë si trajner nuk pranoj ndërhyrje, nuk kompromentohem. Jam kërkues dhe do t’i jap çdokujt atë që meriton. S’do tolerojmë në fushën e blertë, pasi Shqipëria është e vogël dhe çdo gjë merret vesh. Mbaj mend që Bathën dhe Fejzullahin i kam afruar me meritë në Kombëtare, por kjo tashmë i takon së kaluarës. Nëse do t’i bashkoheshin sërish Partizanit, atëherë do t’i fusja sërish në provë“, ka deklaruar Skënder Gega.