Ish-gjyqtari i njohur i Kategorisë Superiore Lorenc Jemini ka kritikuar disa prej trajnerëve të kampionatit, të cilët sulmuan gjyqtarët e disa takimeve në javën e fundit. Jemini ka qenë i ashpër ndaj tyre, sidomos ndaj trajnerit të Laçit Migen Memelli i cili u irritua me anullimin e golit të kurbinasve në fund të pjesës së parë në sfidën me Luftëtarin. Sipas tij, Memelli duhej të dilte jashtë.
“Ka lindur një fenomen këtë javë që nuk qenë në fillim të kampionatit. Trajnerët ankohen kundër arbitrave. Janë Daja, Memelli, Cungu, Mema dhe Duro.
Te anullimi i golit të Laçit, është faull sepse lojtari i Laçit mban me dorë futbollistin e Luftëtarit.
Trajneri duhet të shikojë ndeshjen. Nuk ka patur asnjë gjë të dyshimtë.
Memelli është profesionist. Duhet të kishte dalë jashtë. Unë habitem se si nuk e kanë nxjerrë jashtë. Duhet ta di që nuk është futboll kalamajsh.
Edhe me Memën. Në rastin e faullit të dhënë në favor të futbollistit afrikan të Teutës, Mema ka të drejtë sepse nuk është faull. Ky është aksioni nga erdhi goli i dytë i Teutës. Unë e njoh Memën se është tip i urtë. Por trajnerët nuk duhet të kapen me një rast. Nuk është hataja se pësove gol nga 40 metra”, u shpreh Jemini.