Pyetje që nuk kanë marrë ende përgjigje. “Si përfundoi ndeshja kundër Atletiko Nacional? Përse gjendem në shtrat dhe çfarë janë këto plagë që kam në trup?”.
Një nga lojtarët që i mbijetoi aksidentit tragjik ajror ku u përfshi skuadra braziliane e Çapokoenses, tashmë është zgjuar nga koma dhe është çuditur kur ka parë veten në spital.
Neto është i vetëdijshëm, por gjendja e tij shëndetësore është shqetësuese, sepse ka një vertebër të thyer në shtyllën kurrizore.
Ndërkohë, në spitalin e Medelinit në Kolumbi, as mjekët dhe as të afërmit e Netos nuk i kanë thënë atij se çfarë ka ndodhur. Nuk e kanë gjetur ende kurajën, shkruan “Corriere dello Sport”.
Psikologia që po ndjek gjendjen e tij ka rrëfyer për mediat kolumbiane se: “Është e rrezikshme t’ia tregojmë atij se çfarë ka ndodhur, sepse rrezikon të pësojë ndonjë tronditje psikologjike.
Është një situatë delikate”, tha psikologia që po i qëndron pranë mbrojtësit të Çapokoenses.