Iu bashkua kombëtares shpresa me dëshirën e tij, ndërsa ka fituar vëmendjen e të gjithë ambientit kuqezi. Jasir Asani tashmë është një personazh i njohur në Shqipëri dhe Maqedoni, pasi u largua nga kombëtarja e shtetit fqinj për të zgjedhur atë kuqezi për të ardhmen e tij.
Ndërsa është sqaruar dhe situata e tij, pasi aktivizohet me një skuadër si Vardari, që njihet për nacionalizmin ekstremist kundër shqiptarëve.
“Jasir Asani është futbollisti i parë shqiptar prej Superligës së Maqedonisë që lë ngjyrat e Maqedonisë për t’u veshur kuq e zi, për më tepër që luan te një ekip nacionalist si Vardari. Jasir Asani është i pari shkupjan që vesh fanellën kuq e zi të kombëtares U-21.
Jasir Asani nuk priti që FSHF t’i dërgojë ftesë, por angazhoi menaxherin e tij që të niste kontakte me FSHF-në. Këtë shembull duhet ta ndjekin të gjithë talentet shqiptarë në Maqedoni.
Jasir Asani tashmë është pjesë e rregullt e kombëtares U-21.
Të njëjtën mënyrë ka ndjekur dhe Taulant Seferi, por që për arsye dëmtimesh akoma nuk është zyrtarizuar si kuq e zi.
Presim të tjerë futbollistë nga Ilirida në kombëtare si Egzon Bejtullai, Besir Demiri, Alban Sulejmani, Besar Iseni etj.”, shkruan faqja “Albanian Team” në “facebook”.