Padyshim që sytë janë nga Superliga në takimet e rëndësishme ku Luftëtari pret në shtëpi Skënderbeun në orën 16:00 për të luajtur një ndeshje shumë të rëndësishme ku mbeten edhe 5 javë nga fundi. Skënderbeu do patjetër 3 pikët, ndërsa Luftatari shpreson Europën duke u konfirmuar në vendin e katërt.
Në orën 19:00 një ndeshje mes bregdetarësh të cilët kërkojnë mbijetesën. 1 pikë do të ishte e kënaqshme për të dyja ekipet të cilat kanë poshtë tyre Laçin dhe Korabin.
Për të mos harruar që kjo e dielë vendos përballë emra të rëndësishëm në kampionatet elitarë por gjithashtu dhe dy prej derbeve më të mëdha në kontinent.
Që në mesditë, vëmendja shkon padyshim në qytetin e përjetshëm për derbin e kryeqytetit Italian por dhe përballjen më të nxehtë në Serie A mes Romës dhe Lazio që është dhe një sfidë direkte për zonën Champions.
Bardhëkaltërit kanë patur një ecuri të mirë përballë verdhekuqve në përballjet e Kupës, por në kampionat fitorja mungon që prej vitit 2011 për Lazion, me Romën që ka qenë dominuese absolute e derbit, aq sa dhe në fazën e parë fitoi 2-0
Në Angli, e diela do të jetë për një prej sfidave më të nxehta të futbollit në ishull, Tottenham – Arsenal që mund të jetë tejet përcaktuese dhe për fatet e sezonit të të dyja skuadrave. Gjelat e Londrës në garë për titull duhet të fitojnë në Emirates për të patur ende shpresë për trofeun, por Arsenal që është në garë për zonën Champions e ka të qartë se kualifikimi në këtë kompeticion kalon pikërisht nga derbi. 3 derbet e fundit mes dy skuadrave janë mbyllur në barazim, por këtë herë barazimi është rezultatit që I nevojitet më pak si Arsenalit ashtu dhe Tottenhamit.
Në Itali, mbrëmja do të propozojë duelin mes Interit dhe Napolit, dy prej skuadrave më dëfryese të javëve të fundit, dhe pse Inter në fakt ka qenë më shumë dëfryes në koleksionimin e golave. Fakti që mbeti jashtë zonës Champions e bëri ekipin e Piolit të humbasë qetësinë dhe tashmë dhe pjesëmarrja në Europa League është bërë e vështirë.