Bardheblutë do të ndeshen të dielën në orën 17:00 me Flamurtarin në “Selman Stërmasi”, teksa grupi gjatë ditëve të fundit nuk ka qenë i plotë për shkak të problemeve gripale dhe dëmtimeve që kanë karakterizuar kryeqytetasit gjatë muajve të fundit.
Mirëpo, ka ardhur momenti që trajneri Ilir Daja të marrë lajme pozitive. Pas rikthimit të Gilman Likës, i cili shënoi gol në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë, edhe Gjergji Muzaka është bashkuar me grupin për të lënë plotësisht pas dëmtimin.
Gjithashtu, afrikani Merveil ka kaluar gjendjen gripale dhe ka hyrë me grupin pa probleme, duke u rreshtuar në listën e lojtarëve të gatshëm që tekniku kryeqytetas do të ketë në ndeshjen e së dielës për llogari të javës së pestë të kampionatit. I vetmi që qëndron jashtë, mbetet Flamur Bajrami, i cili po bën stërvitje i diferencuar.