Tirana luan nesër një finale të parakohshme me Besëlidhjen. Ky takim i vlefshëm për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë do të luhet në Kukës. Bardheblutë sot do të mbyllin përgatitjet në kompleksin stërvitor “Skënder Halili” për të udhëtuar më pas drejt Kukësit, aty ku nesër në stadiumin “Zeqir Ymeri” do të luajnë përballë skuadrës nga Lezha.
Tirana kërkon biletën për në finalet e Kupës së Shqipërisë e për ta bërë këtë, bardheblutë duhet të mos paraqiten njësoj si në kampionat. Gjëndja në kampin bardheblu është jo e mirë. Skuadra nuk ka moralin e duhur dhe pritet që nesër të mos jetë e thjeshtë përballë skuadrës që luan në kategorinë e parë.
Në skuadrën e Josës nuk ka probleme dhe pezullime dhe kjo shton optimizmin. Karabeci është rekuperuar, Merveil është i gatshëm ndërkohë që Cisse dhe Ede në javët e fundit kanë mësuar të shënojnë.
Të rinjtë Doka, Cake dhe Akua kanë fituar minuta aktivizimi në këtë periudhë dhe gjërat duken mirë. Mungesë e madhe për Tiranën në këtë finale të parakohshme do të jetë ajo e tifozëve bardheblu që nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga bojkoti.