Dejan Blazevski është përfolur prej ditësh si lojtari që do të jetë pjesë e Tiranës për sezonin e ri. Sulmuesi 32-vjeçar pritet të jetë lojtari që do të mbajë “peshën” e fazës ofensive te bardheblutë. Megjithëse ende s’ka mbërritur në vendin tonë, Newsport mëson se palët kanë arritur akordin dhe konkretizimi i marrëveshjes është çështje orësh. Ai pritet të vijë në Shqipëri brenda kësaj jave, teksa do të hedhë “të zezën mbi të bardhë”. Së bashku me Michael Ngoo, Blazevski shihet si futbollisti që do të “furnizojë” me gola skuadrën e Tiranës.
Megjithatë për këtë duhet të presim deri në fillimin e sezonit të ri. Ai në datë 1 korrik del lojtar i lirë dhe në këto kushte, 24-herë kampionët e vendit kanë përfituar shërbimet e tij. Edicionin e fundit, Blazevski ishte pjesë e Vardarit, ndërsa këtë sezon do të kontribuojë për ngjyrat bardheblu. Gjithçka është mbyllur dhe pritet vetëm hedhja e firmës. Megjithatë në çdo merkato, vlen shprehja “Kurrë mos thuaj kurrë”. Mund të përmendim rastin e Cetkovic që arriti akordin, por në fund vendosi të luante në Maqedoni.