Komiteti i Etikës dhe Disiplinës në UEFA gjobit Barcelonën me 19 mijë euro. Arsyeja është invadimi i fushës nga tifozët pas golit të 6-të që shënuan katalanasit në takimin e kthimit për 1/8-at e Champions League kundër PSG-së.
Lajmi është konfirmuar nga UEFA.
Ndeshja përfundoi 6-1 për Barçën që përmbysi suksesin e arritur nga PSG në sfidën e parë të luajtur në Francë.
Kontestimet e francezëve ishin të larta, pasi pretenduar se u “vodhën” nga gjyqtari turko-gjerman Deniz Aytekin.
Tifozët e PSG-së shkuan edhe më tej teksa morën iniciativën të bënin edhe një peticion duke mbledhur firma për përsëritjen e takimit të dytë mes Barcelonës dhe skuadrës së tyre.
Sigurisht që një kërkesë e tillë nuk u mor parasysh nga UEFA, pasi katalanasit vijojnë rrugën në Champions dhe në çerekfinale do të ndeshen me Juventusin.