Ndërkohë që të gjithë presin derbin e javës së ardhshme mes Tiranës dhe Partizanit në Superligë, për të thyer disi akullin e stadiumeve shqiptare të Superligës, një leksion i vërtetë pasioni dhe emocioni na vjen nga Kategoria e Parë.
Bëhet fjalë për ndeshjen e luajtur dje mes Egnatias dhe Lushnjes, të vlefshme për grupin B e të mbyllur në barazim pa gola. Tifozët e Lushnjes kanë bërë një transfertë madhështore dhe të denjë për çdo tifozeri ballkanike, duke krijuar një atmosferë të veçantë në Rrogozhinë dhe në stadiumin e qytetit.
Plot 500 tifozë pjesë e tifogrupit “Delegatët” kanë udhëtuar me tren, në një mënyrë origjinale transferte, ku me të mbërritur në Rrogozhinën fqinje kanë nisur një marrshim nëpër rrugët e qytetit deri në stadium, ku mbështetën në mënyrë të zjarrtë skuadrën e tyre të zemrës. Ndërkohë që interesant është fakti që bileta në sektorin e miqve kushtonte plot 200 lekë, pavarësisht se kushtet e stadiumit lënë shumë për të dëshiruar.
Një shembull i qartë se pasioni dhe tifozllëku nuk blihen vetëm me para, dhe se futbolli është shumë më tepër se rezultati në fushë apo kategoria ku luan ekipi. Për më shumë ndiqni pamjet më poshtë: