Skuadra e Partizanit do të ndeshet ditën e enjte me Slovan Bratislavën në kuadër të raundit të parë eliminator të Europa League. Në këtë ndeshje kërkohet një numër i madh tifozësh të kuq duke qenë se kualifikimi është i mundur, pas barazimit pa gola në Shqipëri, rezultat që favorizon skuadrën e Sormanit. Tifo-grupi i njohur shqiptar, “Ultras Guerrils” kanë dalë me një deklaratë në facebook, ku shkruajnë:
“Për krenarinë tonë dhe të Legjendës, të enjten buçasim shqip në Sllovaki!
Është një transfertë jo normale për ne, është një nga ato që nuk duhet humbur kurrsesi. Pasi e kemi mbështetur Partizanin tonë në shifra rekord në transfertat e kampionatit të shkuar, tani është koha ta ngremë flamurin tonë në Senicë, aty ku Legjenda do të luajë kualifikimin ndaj Slovan. Ka shumë arsye për të qenë të shumtë mijëra kilometra larg. Së pari,është krenaria jonë në mes, flamuri i Partizanit, por dhe i Shqiptarisë, pasi dihet pozicioni anti-shqiptar i kundërshtarit tonë. Vende nuk ka shumë, por ne duam më të motivuarit me vete! Ju presim që së bashku të sundojmë tribunat e Senicës kundër Slovan. Të ndjehet zëri ynë mbi gjithçka.
Dje, sot, përjetë!“