Mario Cvitanoviç, trajneri i Dinamos së Zagrebit ka pasur një moment tensioni gjatë seancës së fundit stërvitore të zhvilluar dje në stadiumin “Elbasan Arena”. Tekniku i kroatëve ka pasur në dispozicion 60 minuta për të zhvilluar stërvitje, por ka kërkuar më shumë kohë. Pala shqiptare i ka lënë atij edhe 15 minuta tjera dhe më pas ia ka mbyllur stërvitjen.
Një gjë e tillë e ka irrituar pa masë trajnerin, i cili i ka bërë me dije palës shqiptare se në Kroaci Skënderbeu ka zhvilluar stërvitje sa ka dëshiruar. Cvitanoviç është parë duke folur i nervozuar me ndihmësit e tij, pasi shpresonte që të qëndronte sa të dëshironte në stadium për ti dhënë lojtarëve të tij udhëzimet e fundit.