Skuadra e Skënderbeut u dënua dje (e enjte), me 10 vite përjashtim nga UEFA, për shkak se akuzohej për trukim rezultatesh. Ky është dënimi më i rëndë i dhënë ndonjëherë nga institucioni më i lartë i futbollit Europian. Në vitin 2008, skuadra maqedonëse, Pobeda, u dënua me 8 vite përjashtim nga kompeticionet europiane, për shkak të trukimeve të ndeshjes.
Presidenti i klubit dhe një lojtar maqedonas u përjashtuan përjetë nga futbolli. Klubi i Pobedës, e çoi çështjen në gjykatën e CAS, ku priste për ulje, apo falje të dënimit. Në 2010, CAS dha vendimin që ishte i njejtë me UEFA-n.
“CAS ka vendosur që të qëndrojë në fuqi dënimi 8 vjeçar i dhënë nga UEFA për ekipin e Pobedës. Dënimi do të jetë ekzaktësisht i njejti, në të gjitha pikat”, shkruhej në vendimin e CAS-it për Pobedën.
Skuadra e Skënderbeut, gjithashtu do të çojë vendimin në gjykatën e CAS, por të gjithë shpresojnë që dënimi të ndryshojë. UEFA e dënoi Skënderbeun në bazë të propozimit të Komisionit të Disiplinës. Korçarët u dënua për shkak të dyshimeve të UEFA-s, për trukime të rezultateve në Europa League./Newsport.al