Të hënën e ardhshme luhet supersfida e javës së dhjetë, teksa Partizani do të presë në stadiumin “Selman Stërmasi” Skënderbeun. Ky takim do të zhvillohet në orën 19:00 dhe pritet me mjaft interes pasi të kuqtë kryesues presin korçarët e vendit të dytë. Deri më tani, dy skuadrat kanë performuar mirë përgjatë këtyre nëntë javëve.
Merkato e bërë në verë ka rezultuar e suksesshme dhe kësisoj këto dy ekipe janë kandidatë potencialë për titullin kampion. Vlera e lojtarëve që përbëjnë organikat respektive të dy skuadrave është afërsisht 10 milionë euro.
Sipas “transfermarket” që llogarit vlerat e futbollistëve dhe ekipeve në veçanti, skuadra e Partizanit vlen 5.03 milionë euro, ndërsa ajo e Skënderbeut kap shifrën e 4.45 milionë eurove. Pra siç shihet, Partizani i këtij sezoni vlen më shumë se bardhekuqtë e Korçës. /Newsport.al/