Kudo ku ka shkuar Zlatan Ibrahimovic ka lënë gjurmë. Shtatlarti suedez nuk e ka patur asnjëherë problem të gjejë në të gjitha skuadrat që ka luajtur gjatë karrierës së tij. Suedezi e ka lënë Europën për t’i dhënë një tjetër dimension futbollit në tokën amerikane me skuadrën Los Angeles Galaxy.
Por edhe pse është në një moshë ku normalisht futbollistët “perëndojnë”, ish-shoku i skuadrës te Milani Antonio Cassano beson se Ibra e ka ende potencialin për të shpërthyer në Itali, njësoj si në kohët e lavdishme kur luajti me Juventusin, Interin dhe Milanin. Në një intervistë të fundit për mediat italiane, “Fantantonio” zbulon se tekniku i kuqezinjve Gennaro Gattuso e ka në dorë rikthimin e bujshëm të Ibrahimovicit te Milani.
“Nëse do të isha Milani, unë do ta merrja atë menjëherë. Nëse vërtet ka një mundësi aty, jam i sigurt që Gattuso do ta transferojë”, deklaroi 36-vjeçari, që ka vendosur sërish t’i kthehet futbollit të luajtur me skuadrën e Serisë C Virtus Entella.