Presidenti i Skënderbeut Ardjan Takaj shprehet se pavarësisht situatës së vështirë që po kalon ekipi në 2 muajt e fundit, reputacioni i bardhekuqve si ekip kampion e bën që të besojë deri në fund te triumfi i titullit për këtë sezon. Në një prononcim për “RTSH Sportin”, kreu i klubit korccar deklaroi se dënimi i Skënderbeut me 10 vite jashtë kompeticioneve europiane është i padrejtë dhe këtë e dinë edhe drejtuesit e lartë të UEFA-s.
” Rrëshkitja në katër javët e fundit nga kampionati? Nuk është se po ndodh ndonjë gjë. Është normale në futboll. Një ekip nuk mund të dominojë radhazi 10 vjet pa një ulje-ngritje të ogël. Dihej që do të kishte probleme. Të ikin 10 lojtarë nga formacioni dhe të zëvendësohen nuk është gjë e lehtë. Janë lojtarë shumë të mirë, por duan dhe ata kohën e vet të ambjentohen. E filluan shumë mirë kampionatin. 4 ndeshje pa fitore janë shumë. Por futbolli prandaj është i bukur, se është i paparashikueshëm. Duhet të shohim përpara, ekipi e ka vetë në dorë.
Shpresat për titull? Jo nuk i kemi humbur. absoluistoisht jo. Skënderbeu nuk është nga ato ekipe që heq dorë nga gara kaq kollaj. Kush mendon kështu, e ka shumë gabim. 7 pikë nuk është ndonjë gjë e madhe. Janë 6 ekipe që luftojnë për kreun, plus dhe ekipet e tjera për mbijetesë. Këto pikë mund të duken shumë pak dhe pas katër javësh mund të rikuperohen. Prandaj ky sezon ka për të qenë shumë i luftuar dhe shumë i bukur. Është e vështirë që një ekip të vazhdojë i pathyeshëm në kampionat.
Rënia në kampionat, përgjegjësi e kujt është? Nuk kam zhgënjime për lojtarët. Fituan besimin tonë dhe të trajnerit. Faza e parë nisi shumë mirë.
Por një pjesë e lojtarëve nuk arritën ta mbanin peshën e ekipit në fazën e dytë. Arsyeja? Nuk e di, por ndoshta ka qenë mosha e re, eksperienca. Kanë ndikuar dhe mungesat në ndeshjet e fundit. Nuk kemi stol aq të konsoliduar si sezonet e tjera. Pak nga këto ndikuan dhe në ecurinë e fazës së dytë. Mungesa e 3 lojtarëve në ndeshjet e fundit u ndie shumë.
Pritshmëritë për pjesën e dytë të sezonit? Është e rëndësishme të jemi seriozë dhe ta nisim kampionatin ashtu siç duhet. Të jemi ai Skënderbe me kërkesa dhe të japim maksimumin. Jemi ekip i fortë dhe i rrezikshëm për çdo kundërshar. Nëse do të ulim ritmin, ky do të jetë problem për këtë Skënderbe. Ekipet e vjetshme dhe të parvjetshme dinin ta mbanin presionin edhe po të ulnin ritmin. Por këta nuk e kanë eskperiencën. Por nëse japin 100%-shin e tyre, do të jenë ekipi më i fortë dhe më i mirë i Superiores.
Merkatoja? Janë nja 2-3 lojtarë që po punojmë. Do të mbyllim marrëveshjet me këta. Merkatoja e janarit është zhurmë e madhe. Nga vite e kaluara kemi shpenzuar shumë për të sjellë emra në janar dhe nuk ia kemi dalë. Kampionati shqiptar është si kampionatet e tjerë. Në këtë moment askush nuk i largon lojtarët më të mirë. Do të shpenzojmë brenda limiteve. Nuk mund të shpenzojmë shumë. Duhet të mësojmë nga gabimet e së shkuarës.
Gavazaj është lojtar i Skënderbeut, i huazuar te ekipi rus. Nuk e di se si po shkojnë punët atje. Nuk është se kemi gjë në dorë. Aliti është në shitje. Jemi në bisedime me disa ekipe, por kjo është në dorën e blerësit.
Dënimi i CAS-it? Ky është një dënim fantazëm, pa asnjë provë. Edhe UEFA e di shumë mirë situatën se si është dënuar Skënderbeu. Ne nuk shkojmë në CAS për të ulur dënimin, shkojmë për ta fituar.
Gara për titullin? Shpresoj të shkojë pa probleme deri në fund dhe ta fitojë më i miri. Janë shumë rivalë për titull. Gara do të nxehet në javët e ardhshme. Ta fitojë më i forti. Të mësohemi dhe ne pa tension, pa nerva. Aq shumë sa e dua Skënderbeun, nuk mbetet për ekipet e tjera”, përfundoi Takaj.