Arbi Laçi ka folur para ndeshjes së Tiranës kundër Partizanit. Drejtori sportiv i bardhebluve e përjeton shumë këtë sfidë, duke qenë se është një “ish” i tribunave të 24-herë kampionëve të Shqipërisë.
Ai prek një sërë çështjesh dhe në një prononcim për Supersport tregon situatën me borxhet, kthesën që pret nga ekipi në derbi, si dhe flet me superlativa për organikën që trajneri Mema ka në dispozicion.
Në fund kërkon ndjesë publike për tifozët e Tiranës, duke i ftuar ata që të jenë bashkë për të nisur një kapitull të ri në mbështetje të klubit bardheblu.
“Borxhet në klub? Është një histori e mbartur nga e shkuara. Na duhet të punojmë shumë në këtë drejtim. Flasim për shuma të mëdha parash, por sot nuk ka më probleme të tilla.
Humbjet në derbi? Duhet ta mbyllim këtë histori për të nisur një kapitull të ri. Më shumë na bezdis duke e dëgjuar se sa na bën të mendojmë për të ardhmen.
Gjendja e skuadrës? Skuadra ka brumë, ka kapacitet. Ka futbollistë që driblojnë rolet. Do ta cilësoja si një ekip të mirë që mund të bëjë gjëra të mira. Duhet të kalojë problemin e besimit. Kemi folur para ndeshjes së fundit. Diçka më ndryshe u reflektua në fushë. Unë gjykoj që duhet më tepër personalitet dhe më tepër besim. Duhet të besosh që të fitosh.
Tifozët? Ndjesë edhe njëherë tifozëve sepse të gjithë bashkë e duam këtë klub që të jetë në majë, sidomos ne që punojmë këtu apo jemi edhe tifozë duam ca më tepër për të qenë më lart. Ndoshta ka ardhur momenti që të gjithë bashkë ta shijojmë këtë klub në nivele të tjera”, ka deklaruar drejtori sportiv i klubit të Tiranës.