Në këto ditë fundviti, kanë ardhur lajme të mira për Korabin, i cili pa rikthimit nga pushimet e dimrit, do të mund të luajë në stadiumin “Korabi” në Peshkopi. Punimet kanë nisur për rikonstruktimin e këtij impianti, që të përfundojnë brenda një periudhe të shkurtër, për të qenë i gatshëm për ekipin pas rikthimit nga pushimet e dimrit.
Rikonstruksioni i stadiumit do të bëhet bazuar në disa kritere që duhen plotësuar në mënyrë që ky stadium të licencohet edhe për ndeshjet e tjera të Superiores.
Disa prej kushteve që duhen plotësuar, kanë të bëjë me ndërtimin e tre shkallëve për akomodimin e tifozëve, tribuna lëvizëse dhe rrethimi i dyfishtë që ka të bëjë me sigurinë që do të ofrojë pas rikonstruktimit.
Për fazën e parë, Korabi u detyruar të zhvillojë takimet në “Selman Stërmasi”, “Zeqir Ymeri” dhe në stadiumin e Peqinit. Pas rikonstruktimit të impiantit, do të marrë fund kjo histori, pasi do mund të luajnë takimet në shtëpi.