Kukësi do të luajë të mërkurën ndeshjen e Superkupës së Shqipërisë kundër Skënderbeut. Korçarët janë kampionët në fuqi të vendit, ndërsa kuksianët fituan trofeun e Kupës. Në këtë stad Kukësi arrin për herë të parë, ndërsa drejtuesit dhe stafi teknik duan patjetër triumf.
Triumfi nuk dëshirohet për çështje emocionale apo trofeu, por për të konfirmuar ekipin e sezonit të ri. Burime pranë skuadrës bëjnë me dije për “newsport.al” se takimi kundër Skënderbeut do të jetë vendimtar për largimin apo qëndrimin e disa futbollistëve, të cilët nuk kanë shfaqur cilësitë e duhura për të qëndruar me ekipin gjatë sezonit të ri futbollistik.
Normalisht, verilindorët kanë shpenzuar shumë gjatë merkatos së verës, ku kanë bërë afrime, por që kanë pasur edhe firo në mbrojtje, kujtojmë rastin e Micit dhe të Malotës. Megjithatë, lojtarët e përmendur më sipër pritet që të ndiqen nga të tjerë emra në rast se ndeshja e së mërkurës përfundon me rezultat negativ për verilindorët.
Emrat që rrezikojnë më shumë janë ata që luajnë në mesfushë dhe në sulm. Piketohen këto dy reparte, pasi ka mbingarkesë lojtarësh, të cilët pritet që të dalin nga lista në rast se Kukësi humbet. Shansi më i mirë i tyre do të jetë nëse skuadra arrin që të fitojë trofeun kundër Skënderbeut.