Përballja Teuta-Vllaznia në “Niko Dovana” në Durrës ka hapur totalisht garën për mbijetesë, teksa kanë mbetur edhe 7 ndeshje për t’u luajtur. Ndeshja e mbrëmshme ishte si një finale për të dyja ekipet, por që në fund triumfoi Teuta, duke e bërë edhe më dramatike situatën në fundin e klasifikimit.
Durrsakët vazhdojnë të qendrojnë të parafundit në renditje, por tashmë me një tjetër marsh teksa janë me pikë të barabarta.
Listës tanimë i është bashkuar edhe një tjetër ekip, pikërisht skuadra e Kamzës, që pas një starti të “nxehtë” në fillim të kampionatit, tashmë e sheh vetëm në “ngrirje”, me vetëm 1 pikë më shumë se Vllaznia. E vetmja skuadër, nga e cila mund të përfitojnë të gjithë këtë sezon është Lushnja. Kamza ka mundësine “e artë” për të marrë një 3 pikësh, pasi në 5 takimet e fundit regjistron 4 humbje dhe 1 barazim.
Teuta dhe Vllaznia në takimet e radhës kanë vetmë një objektiv, atë të marrjes së 3 pikëve. Durrsakët udhëtojnë në Vlorë, përballë një Flamurtari të “plagosur”, ndërsa shkodranët presin Luftëtarin.
Me paraqitjen e gjirokastritëve në këtë sezon, bëhet edhe disi më e vështirë për Vllazninë, që mesa duket për tifozët e tyre po rikthejnë edhe një herë ethet e sezonit të shkuar, ku mbijetesa u vendos në takimin e fundit, përballë Tiranës.