Milan realizon një fitore që kishte kohë që nuk ia ndjente shijen, pikërisht kundër Juventusit.
Kuqezinjtë e drejtuar nga trajnerin Vinçenco Montela kanë arritur të mposhtin 1-0 kampionët e Serisë A, falë golit të shënuar nga Manuel Lokateli në minutën e 65-të, 18-vjeçari që bëri me krahë “San Siron” pas një super realizimi.
Juventus u mundua deri në fund që të gjente golin e barazimit, por pa sukses. Kujtojmë se në pjesën e parë, bardhezinjve iu mohua një gol i shënuar nga Pjaniç, për pozicion jashtë loje, pasi Bonuçi ndoqi aksionin, ku ndonëse nuk e preku “sferën”, fakti që mori pjesë në aksion bëri që goli të quhej i parregullt.
Kjo fitore për Milanin vjen pas fiks 4 vitesh kundër Juventusit.
Suksesi i fundit i kuqezinjve ndaj bardhezinjve në Serinë A, ishte ai i 25 nëntorit 2012. 1-0 fitonte Milani edhe në atë kohë, falë golit të brazilianit Robinjo.
https://www.youtube.com/watch?v=tDYd8IlGUDU