Ecuria mjaft e mirë këtë sezon që ka pasur mbrojtësi i kombëtares Mërgim Mavraj, ka treguar dhe njëherë vlerën e tij reale në fushë. Pas çdo takimi ai merr vlerësimet maksimale, duke detyruar ekipin e Këlnit ti qëndrojë më se korrekt, pasi përfitimet e ekipit nga ky i fundit kanë qenë mjaft të mëdha.
Sipas “effzeh.com”, Mavraj klasifikohet i pari në renditje sa u përket bllokimeve që u ka bërë kundërshtarëve. Mbrojtësi i kombëtares ka bërë 13 të sakta, më shumë sesa cilido prej rivalëve të tij në Bundesligë.
Ndërkohë që ky i fundit ka arritur të zgjidhë saktë 70 situata të tilla. Nga ana tjetër mbrojtësi i Lajpcigut, Orban, ka zgjidhur tre më shumë sesa mbrojtësi shqiptar. Në lidhje me gabimet në zonën e rreptësisë, mbrojtësi i Kombëtares qëndron sërish në krye të statistikave, pasi nuk numërohet asnjë gabim fatal prej tij. Falë këtyre ndërhyrjeve, Këlni nuk ka pësuar asnjë gol për faj të futbollistit shqiptar.
Risia për Mavrajn është faza sulmuese, ku pavarësisht se është lojtari i fundit mbrojtës i Këlnit, mbrojtësi vlerësohet mjaft mirë sa u përket tentativave të ekipit për të sulmuar. Qendërmbrojtësi i kombëtares nuk ka humbur asnjë prej pasimeve kur ka tentuar që të nxjerrë ekipin e tij në sulm. Mbrojtësi renditet i dyti sa u përket pasimeve që shtyjnë ekipin përpara, me 493 të tillë, ndërkohë që i pari numëron 500 pasime të sakta.
Një tjetër statistikë është ajo e faulleve, ku Mavraj ka fituar 16 faulle, 3 më pak se Hubn i Hofenhaimit në lidhje me këtë aspekt.